Gara televizive për audiencë mes ‘Tv Klan’ dhe ‘Top Channel’ ka nisur që në fillim të muajit shtator me emisionet e mëngjesit, ato të pasdites dhe emisionet investigative, teksa së shpejti pritet të nisin edhe emisionet në prime-time.

Në të dyja këto televizione, këtë sezon do të transmetohen dy programe kërcimi, me Top Channel që do të nisë në muajin tetor transmetimin e ‘Dancing With The Stars’, ndërsa në TV Klan rikthehet ‘Dance With Me’ pas një shkëputje disa vjeçare.

Dancing With The Stars’ ka zbuluar disa prej konkurentëve pjesëmarrës deri tani, teksa emisioni tjetër që do të jepet në TV Klan zbuloi këtë të hënë konkurenten e parë dhe do të jetë një emër i madh në Europë.

Faqja zyrtare e emisionit ka zbuluar në Instagram se kampionia e Europës dhe krenaria kombëtare, Luiza Gega do të jetë konkurentja e parë e këtij programi.

‘Kampionia e Europes, krenaria kombetare @luizagega prezantohet zyrtarisht si konkurentja e pare ne “Dance With Me”! Good luck girl’ – shkruhet në faqen zyrtare të spektaklit.

Luiza Gega u shpall kampione e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa pak ditë më parë, duke hyrë në histori e duke na bërë të gjithëve krenarë për çmimin që mori si kampione Europe.