Uji i pijshëm mund të kthehet në një problem të madh në të ardhmen, duke parë ndryshimet klimateruike dhe vitet gjithnjë e më të nxehta që do të vijnë. Për të bërë të mundur që ky problem dhe thatësira në vendet e ndryshme të mos ndihet shumë, kompania “Marine Tech” ka shpikur HelioWater.

Një pajisje inovative  që prodhon ujë në mënyrë të qëndrueshme, duke respektuar ambientin. Bëhet fjalë për disa kupola apo sfera, të montuara në një telajo prej metali, të afta që të përdorin energjinë diellore për të transformuar ujin e detit dhe ujin e ndotur në ujë të pijshëm dhe të pastër.

Kjo pajisje është 100% autonome dhe punon falë energjisë diellore. Në bazë të këtij projekti janë proceset e distilimit dhe mineralizimit të ujit. Uji i detit apo uji i ndotur ngrohet në brendësi të sferës, e cila më pas e avullon dhe kondeson. Temperatura e lartë shkatërron bakteret.

Pikat e pastra të ujit rrjedhin përgjatë mureve deri sa mblidhen përmes disa kanaleve të posacme. Për ta bërë këtë ujë të pijshëm, ky sistem parashikon edhe rimineralizimin përmes shtimit të mineraleve. Niveli i prodhueshmërisë është i lartë, pasi arrin të kapë deri në 10 litra ujë në ditë.