Reperi i njohur shqiptar Noizy ka njoftuar prej disa javësh që do të mbajë për herë të parë një koncert në Tiranë. Në muajin gusht, konkretisht më 14 gusht, e gjithë vëmendja e fansave të Hip-Hop-it shqiptar do të jetë te ky koncert, që sipas asaj që ka premtuar Noizy do të jetë madhështor.

Ai ka nisur punën dhe përgatitjet prej disa javësh për këtë koncert kaq të madh, teksa është zbuluar edhe vendi se ku do të mbahet. Pikërisht në stadiumin “Air Albania”, krah sheshit “Nënë Tereza”.

Në një intervistë për emisionin “Wake Up” në Top Channel, reperi shqiptar ka treguar edhe se sa është shifra e shpenzuar deri më tani për këtë koncert madhështor. Noizy nuk ka dhënë një shifër të saktë, por ka zbuluar që shpenzimet e këtij koncerti kanë shkuar mbi gjysmë milioni euro. “Nuk kam qejf të flas me shifra por mbi gjysmë milion euro”-tregoi ai ditën e sotme intervistën për ‘Wake Up’.

Sipas asaj që ai ka thënë më herët, kjo është ëndrra e tij e hershme dhe më e madhe, për të mbajtur një koncert në vendin e tij. Më tej, ai tregoi edhe pak nga jeta e tij private, teksa tregoi se për momentin duket se nuk ka njeri në krah pasi është shumë i angazhuar. “Ideja është që personi që duhet të kem në krah dua që t’i kushtoj kohë, vëmendje mbi të gjitha dashuri dhe për momentin nuk e kam atë luks. Kohën e kam gjënë më të çmuar gjë që nuk e kam. Jam mjaft i angazhuar dhe është pak e hallakatur situata’’ – vijoi ai.

Përflitet se pjesë e këtij koncerti do të jenë edhe emra të tjerë të njohur nga muzika shqiptare si Mc Kresha, Ledri Vula, Xhensila Myrtezaj, Dhurata Dora, Loredana, Kida etj.

Ky nuk është koncerti i vetëm që do të mbahet në Tiranë gjatë muajve të verës. Kujtojmë se disa ditë më vonë, për herë të parë Dua Lipa do të sjellë në kryeqytetin shqiptar “Sunny Hill Festival”, ndërsa më 6 shtator edhe këngëtarja tjetër shqiptare me famë botërore, Rita Ora do të vijë në Shqipëri.