Mbretëria e Bashkuar do të presë zyrtarisht Festivalin Europian të Këngës (Eurovision Song Contest) vitin e ardhshëm në vend të Ukrainës.

Kështu ka deklaruar Unioni Evropian i Transmetuesve dhe BBC, me organizatorët që vendosën se ky event i madh muzikor nuk mund të mbahej në vendin fitues, që është Ukraina, për shkak të luftës me Rusinë.

Mbretëria e Bashkuar doli e dyta në këtë edicion të Eurovision-it. Menjëherë u hapën bisedimet me BBC, si transmetuesi kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar, që është ftuar të veprojë si mikpritëse për Festivalin e 67-të të Këngës në Eurovision.

“Ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës që BBC ka pranuar të organizojë Eurovision Song Contest në Mbretërinë e Bashkuar në 2023” – tha mbikëqyrësi ekzekutiv i Festivalit të Këngës, ndërsa edhe kreu i transmetuesit publik të Ukrainës, Mykola Chernotytskyi tha “Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë të BBC që treguan solidaritet me ne”.

Ende nuk është vendosur qyteti se ku do të zhvillohet ky event i madh muzikor, por deri tani kanë shprehur interesin tre qytete, Manchester, Bristol dhe Glasgow. Për të vendosur se ku do të mbahet Festival ii Këngës Eurovision, çdo qytet duhet të provojë se ka objektet e duhura dhe duhet të kalojnë një proces tenderimi.

Ukraina, që ishte edhe fituese e këtij edicioni në Eurovision do të kualifikohet automatikisht në finale e madhe, teksa automatikisht do të kualifikohen edhe “Big Five”, pesë shtetet që janë : Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja – që marrin një leje kalimi falas për shkak të kontributeve të tyre financiare.