Me mesatare të tre viteve të gjimnazit 10.00 dhe me atë të provimeve të maturës 9.82, Kristel Milo ka zgjedhur të veprojë ndryshe nga bashkëmoshtarët e saj ekselente: Të vijojë studimet në Shqiperi!

18-vjeçarja ka përfunduar arsimin e mesëm në gjimnazin “Gustav Mayer” me rezultate të shkëlqyera dhe është regjistruar para pak ditësh në mjekësi të përgjithshme, e vendosur përballë shumë zgjedhjeve kryesisht mes ekonomikut dhe degëve që ka zgjedhur.

“Besoj se jam e kënaqur me zgjedhjen time, kur i hodha lëndët i kam ndarë në dy kampe, ekonomia dhe këto shkencat se babin e kam nga ana e ekonomisë kurse mamin nga shkencat.

Më ka dalë financë, kontabilitet, edhe disa zgjedhje të tjera që kishin lidhje me kiminë e biologjinë, por normalisht zgjodha mjekësinë se ai ishte synimi im.

Kur zgjodha lëndët për vit të tretë ishin për të kalur mjekësinë, prandaj dhe lëndët që kam zgjedhur ishin të tilla: kimi, biologji, fizikë.

Besoj që studimet do t’i vazhdoj këtu në Shqipëri, ndërsa kur kam qenë e vogël e kam pasur atë idenë të largohesha, por tani jo më. Këtu kam gjithë familjen sigurisht, por mendoj që të gjithë janë duke ikur dhe kanë nevojë që të ngelen edhe disa persona këtu në Shqipëri.”, u shpreh Milo.