Kombëtarja jonë kuqezi do të luajë sot “finalen” e grupit 4 në Ligën e Kombeve. Themi finale, sepse mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë diskutohet vendi i parë. Prej orës 16:00, në “Air Albania Stadium” do të nisë misioni i Edy Reja dhe të tijve për të fituar. Kjo është e vetmja rrugë për t’u ndjekur. Dy rezultatet e tjera nuk na hyjnë fare në punë, mbajnë në krye bjellorusët. E parë kështu, kjo sfidë konsiderohet një gur prove edhe për vazhdimësinë e trajnerit veteran italian.

Në kushtet e disa problemeve të lindura rrugës, sikurse ishte dalja pozitiv me koronavirus e Hysajt mbrëmë, trajneri Reja duhet të bëjë “meremetime” të vogla në formacion. Ai e tha në konferencën e djeshme për shtyp se nuk ka ndërmend të ndryshojë thelbësisht nga 11-shja fituese ndaj Kazakistanit, por Hysaj duhet zëvendësuar, edhe Abrashi i pezulluar; ndërsa shqetëson gjendja fizike e Gjasulës. Mungesa e shqiptarit të Napolit hap vend për të riun Doka, që pritet të luajë në të djathtë, duke spostuar Uzunin në të majtë.

Sa i takon Abrashit, i padisponueshëm, për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve, ai do të zëvendësohet nga Qazim Laçi. Për Gjasulën do të pritet deri në minutat e fundit, me shpresën se shqetësimi në këmbë do të jetë diçka e kaluar dhe ai mund të kontriubuojë nga fillimi i lojës. Pjesa tjetër e formacionit startues pritet të jetë e njëjtë, si në fitoren 3-1 ndaj kazakëve.

Konkretisht, Berisha në portë dhe treshja e mbrojtjes para tij: Veseli, Gjimshiti, Ismajli. Mesfusha do të jetë në këmbët e Doka, Gjasula, Memushaj, Laci dhe Uzuni. Reparti i përparmë, po ashtu do të startojë me dyshen Manaj-Cikalleshi, që shënoi në sfidën pararendëse.

Sa i takon historikut të përballjeve me Bjellorusinë, kjo do të jetë ndeshja e shtatë mes tyre (zyrtare dhe miqësore). Nga ky total, në 6 ndeshjet e luajtura deri tani, Shqipëria numëron 2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje (golaverazhi 7-8). Pra, kemi një ekuilibër të plotë rezultativ. Sot është dita për t’i “lënë targën” këtij kundërshtari jo vetëm në historikun e përballjeve direkte, por edhe të renditjes në grupin 4, Liga C të “Nations League”.