Shumë prej fëmijëve të prekur nga çrregullimet e spektrit autik në Shqipëri kanë vështirësi të mëdha, ndërsa vlen të theksohet se shumica prej tyre kanë edbe talente të veçanta dhe me punë e përkushtim ia dalin të na befasojnë. I tillë është edhe rasti i Jamarbër Hoxhës, i cili edhe pse 12-vjeç, ia ka dalë të botojë një libër më poezi, të quajtur Auvernamon, (Lulëkuqja).

Ai ka interpretuar një prej këtyre poezive, të shkruar më 7 gusht 2020, që duket si një thirrje drejtuar të ëmës. “O ma përse s’më bëre një djalë të thjeshtë; Një djalë që s’bën veprime autike; Autizmin nuk e dua; Dua të jem një djalë i thjeshtë”- është poezia e Jamarbrit.

I ftuar në emisionin GoodMorning Albanians në Euronews Albania Jamarbri tha se autizmi i tij është përmirësuar shumë dhe tani mund të quhet gjysmë autizëm. “Shumica e veprimeve përsëritëse të autizmit tim janë përgjysmuar dhe po shkojnë drejt zhdukjes. Që kur isha i vogël kam nisur të lexoj reklama dhe është bërë gjysmë autizëm”, tha Jamarbri, i cili u shpreh se është gati ta largojë autizmin.

“Unë tani jam gati që ta heq autizmin më shpejt dhe më shumë. Do të thotë që ca maja të vogla po moderohen. Po rinovojmë trurin, po rinovojmë strukturën dhe po nisim të bëjmë gjëra të reja,” – u shpreh 12-vjeçari.