Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha të premten se 75% e të gjitha vaksinave për COVID-19 në të gjithë botën janë injektuar në vetëm 10 vende, ndërsa gati 130 vende nuk kanë bërë asnjë vaksinë. Në konferencën e zakonshme për shtyp të agjencisë në Gjenevë, Tedros Adhanom Ghebreyesus u tha gazetarëve se në shkallë globale numri i vaksinave tani është më i lartë se numri i infeksioneve të raportuara me COVID-19.

Ai tha se në thelb ky është një lajm i mirë dhe një arritje e jashtëzakonshme në një afat kaq të shkurtër kohor. Por ka pothuajse 130 vende me 2.5 miliardë njerëz gjithsej që nuk kanë dhënë asnjë dozë të vetme vaksine. Tedros shtoi se disa vende më të pasura tashmë kanë vaksinuar pjesë të mëdha të popullsisë së tyre me rrezikshmëri më të ulët sëmundjeje të rëndë ose vdekjeje.

Kreu i OBSH-së tha se e pranon që të gjitha qeveritë kanë detyrimin të mbrojnë njerëzit e tyre, por nënvizoi se, pasi vendet e pasura të kenë vaksinuar popullatat e tyre më të rrezikuara prioritare – punonjësit e linjës së parë shëndetësore dhe të moshuarit – mënyra më e mirë që ato vende të mund të mbrojnë pjesën tjetër të popullsisë së tyre është të ndajnë vaksinat që teprojnë në mënyrë që vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë.

“Sa më shumë kohë që duhet për të vaksinuar ata që janë më të rrezikuar kudo, aq më shumë mundësi i japim virusit të shndërrohet në variante të reja dhe të bëhet rezistent ndaj vaksinave”, tha zoti Tedros, duke shtuar se nëse virusi nuk luftohet kudo, ai mund të ringjallet globalisht.

Një mënyrë për t’i bërë vendet më të varfëra më pak të varura nga vendet më të pasura është rritja e prodhimit të vaksinave në të gjithë botën, shtoi ai, duke vënë në dukje se si ndërmarrja farmaceutike shumëkombëshe Sanofi njoftoi se do të vinte në dispozicion infrastrukturën e saj të prodhimit për të mbështetur prodhimin e vaksinës Pfizer / BioNTech.

Zoti Tedros u bëri thirrje kompanive të tjera të bëjnë të njëjtën gjë. “Ne inkurajojmë të gjithë prodhuesit të ndajnë të dhënat dhe teknologjinë e tyre për të siguruar qasje globale, të barabartë tek vaksinat”.
/ VOA