Rastet e lisë së majmunëve janë në rritje: që nga 22 qershori, Organizata Botërore e Shëndetësisë regjistroi 3,413 infeksione në zonat ku ajo nuk është endemike, me një rritje prej 62% në një javë (ato ishin 2,103 më 15 qershor). Raporti i fundit konfirmon se epiqendra e epidemisë mbetet Europa, me 86% të rasteve (2933): 524 në Mbretërinë e Bashkuar, 313 në Spanjë, 263 në Gjermani, 241 në Portugali, 125 në Francë, 80 në Holandë, 68 në Itali.

Shkaqet – Sipas OBSH-së, rritja e rasteve varet nga mosnjohja e hershme e infeksionit dhe mungesa e mekanizmave të mbikëqyrjes për një sëmundje “të panjohur” për shumicën e sistemeve shëndetësore. Për më tepër, nuk përjashtohet një “difuzion më i gjerë në grupet vulnerabël” me “ndikim më të madh në shëndet”.

Asnjë emergjencë – Pavarësisht rritjes së papritur të rasteve, OBSH ka theksuar ditët e fundit se epidemia aktualisht nuk përbën një “urgjencë të shëndetit publik me rëndësi ndërkombëtare”. Megjithatë, për të shmangur përhapjen e mëtejshme të shpërthimit, nevojitet “një intensifikimi i përpjekjeve për reagim”.

Monitorimi i vazhdueshëm – Një rivlerësim i shpërthimit është planifikuar “kur të ketë më shumë informacion mbi të panjohurat aktuale”, duke përfshirë periudhën e inkubacionit dhe rolin e transmetimit seksual. Qëllimi i OBSH-së në javët e ardhshme është të konstatojë nëse ka pasur “ndryshime të rëndësishme që mund të kërkojnë një rishqyrtim” të situatës.

Vaksina –Agjencia Europiane e Barnave (EMA) ka nisur një rishikim të të dhënave për të shtrirë përdorimin e vaksinës së lisë Imvanex edhe tek lija e majmunëve. Imvanex, aktualisht i autorizuar në Bashkimin Evropian për parandalimin e lisë tek të rriturit, përmban një formë të gjallë të modifikuar të virusit të vaksinës Ankara, e cila lidhet me virusin e lisë. Duke pasur parasysh ngjashmërinë midis dy viruseve, ajo konsiderohet gjithashtu një vaksinë e mundshme për linë e majmunëve.