Sa mirë që të emigronim për të fituar edhe një kulturë të re! Largimi i popullisë është një problem vërtet i madh. Braktisen fshatra e qytete, ikën pjesa më aktive e shoqërisë, nuk ka krahë pune, ikin konsumatorët …dhe të gjitha përmblidhen në një pikë: Kosto ekonomike.

Por mendoj se problemi është më i madh se kaq; ngado të ikim, në cilëndo shoqëri të integrohemi, mbetemi sërish “shqiptarë”. Mbetemi të tillë, edhe nëse nuk dimë të flasim gjuhën shqipe. Të shumtë janë ata që e shikojnë si një tjetër problem humbjen e identitetit, të gjuhës, lidhjeve të emigrantëve me familjet dhe vendlindjen…

Por unë mendoj sërish se e mira e të mirave do të ishte që shqiptarët të ruanin gjuhen dhe lidhjet me mëmëdheun, por të humbisnim ca shumë veti të tjera. Ose më saktë, të fitonin cë veti e aftësi të reja. Të fitonin një kulturë pune, edukatë qytetare, mjedisore, kulturën e jetesës në komunitet, të respektimit të mjedisit publik… Dhe, mbi të gjitha, të fitonin një kulturë të re të marrëdhënies me shtetin dhe qeverisjen. Të mos jemi servilë, interesaxhinj, të mos jemi të përulur dhe të nënshtruar, të jemi kryenecë e kryengritës kur na shkelin të drejtat e kur na mashtrojnë, të ngrejmë krye kur na vjedhin e na gënjejnë.

Ta shikojmë shërbimin ndaj vendit dhe popullit si detyrim dhe përkushtim, dhe jo mundësi për të zhvatur e përfituar. Nëse të jetuarit në vende të tjetra, mes popujsh të tjetër të qytetëruar dhe edukuar, do të na ndihmonin të hidhnim një hap evolucionist në këtë drejtim, atëherë udha e mbarë sa më shumë shqiptarëve, në një shkollë që nuk mësohet në shkollë. Por druaj se ndryshojmë në këtë drejtim. E shikoj këtë tek ata që kur ka zgjedhje ngarkohen me autobuza e vijnë të votojnë për partitë që që u paguajnë biletën e rrugës dhe një sanduiç.

E shikoj tek e njëjta mendësi që kanë atë që jetojnë jashtë, si ne këtu, që zgjohemi e flemë duke parë në ekrane Ramën, Berishën dhe Metën. Me pak fjalë, ajo që dëshiroj të ndodhë është që ne të mos emigrojmë thjeshtë dhe vetëm për bukë dhe kushte më të mira jetese, por të emigrojmë për të përfituar një kulturë të re. Opinion nga Mentor Kikia