Nëse do të keni dëshirë, gjatë kësaj vere piknikët mund t’i organizoni në kopshtet e Pallatit Mbretëror. Kështjella Windsor në Berkshire do të rihapet për vizitorët më 17 maj, ndërsa lajmi që ka bërë bujë të madhe është ai i hapjes së kopshteve të pallatit mbretëror Buckingham Palace, për herë të parë për publikun.

Kështjella Windsor daton që prej shekullit XI dhe është një nga rezidencat mbretërore të Mbretëreshës, e cila zakonisht shkon aty gjatë fundjavës. Kështjella është edhe një prej atraksioneve më të madha turistike në Berkshire.

Me një sipërfaqe prej 13 hektarësh, kështjella u themelua nga William Pushtuesi dhe ka qenë shtëpia e 39 monarkëve. Ajo është e rrethuar nga qyteti në njërën anë, dhe Parku i madh Windsor në anën tjetër. Edhe pse ky nuk është një ndër atraksionet e preferuara të turistëve të huaj, nga të gjithë vendasit ajo është mjaft e vizituar dhe do të rihapet nga 17 maji i këtij viti.

Bileta kushton 23.50 £ për një të rritur, por ka ulje për personat mbi 60 vjeç, studentët, fëmijët, njerëzit me aftësi të kufizuara ose grupe të mëdha. Edhe pse biletën mund ta merrni edhe kur të jeni përpara kështjellës, këshillohet që të bëni paraprakisht rezervimin tuaj për të shmangur ndonjë radhë të mundshme. Maskat nuk duhen hequr në asnjë moment gjatë vizitës.

Një numër i vogël dhomash qëndrojnë të mbyllura për shkak se distancimi social tek ato nuk mund të mbahet lehtësisht. Fletëpalosjet informuese falas dhe kufjet (të cilat pastrohen dy herë përpara çdo përdorimi) do t’jua lehtësojnë këtë vizitë.

Kafeneja, The Undercroft Café, është e hapur por me një menu të kufizuar. Blerjet me para në dorë nuk lejohen për të reduktuar sa më shumë mundësinë e transmetimit.
Për të gjithë ata persona që nuk kanë mundësi të shkojnë dhe ta vizitojnë kështjellën janë vënë në dispozicion një seri turesh virtuale.

Turi i radhës është më 28 Prill në platformën Zoom. Seanca interaktive prej një ore do t’i çojë të pranishmit në një udhëtim virtual nëpër pikat kryesore të kështjellës, duke përfshirë një prezantim mbi historinë e saj magjepsëse dhe pamje të ndryshme nga afër. Nga korriku deri në shtator të këtij viti ju do të keni mundësinë për të vizituar edhe parqet e pallatit mbretëror dhe nëse dëshironi mund t’i bëni aty piknikët tuaja gjatë kësaj vere.