Më datën 8 maj është regjistruar humbja e fundit e jetës prej Covid-19 në vendin tonë. Që prej asaj dite numri i rasteve të personave të infektuar me koronavirus ka qenë i ulët në Shqipëri, por ajo që është më e rëndësishme është se nuk ka patur asnjë viktimë.

Edhe pse mesatarisht në vendin tonë kryhen 500-700 testime në ditë nga personat e dyshuar se janë infektuar, numri i mesatar i personave të infektuar është rreth 40 të tillë në ditë për 7 ditët e fundit. Madje ka patur raste që numri i të infektuarve është më i vogël se 30 në ditë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në vendin tonë janë aktivë më pak se 300 raste me Covid-19 dhe rreth 2/3 e tyre janë në kryeqytet. Në spitalin Covid 3 aktualisht ndodhen të shtruar vetëm 4 persona, që po marrin një trajtim më të specializuar.

Këto shifra tregojnë se pandemia po shkon drejt fundit, teksa edhe numri i të vaksinuarve ka pësuar ulje të ndjeshme. Gjithsesi, kërkohet kujdes i madh, pasi në vendin tonë janë hequr thuajse të gjitha masat anti-Covid.