PSG nuk do të bëjë përjashtim. Pandemia ka goditur rëndë botën e futbollit dhe, parashikimet që bëjnë nga Parisi janë të zymta. Kampioni francez nuk heziton të deklarojë se synon të afrojë futbollistët më të mirë në botë, por pretendimet e tyre në tregun e transferimeve nuk përputhen me bilancet financiare. Pra, gjithçka duket se tregon se klubi do të duhet të aktivizojë “operacionin e daljes” (shitjet), nëse dëshiron të përmbushë blerjet e planifikuara.

Sipas “L’Equipe”, ekipi nga kryeqyteti paraqiti një raport në Drejtorinë Kombëtare të Kontrollit të Menaxhimit të Ligës Profesionale Franceze të Futbollit, duke vlerësuar humbjet për sezonin 2020-2021 në 204 milionë euro, ose 60% më shumë se vitin e kaluar. Në negociata për të rinovuar me Neymar dhe Mbappé, duket se oferta e PSG-së nuk do të jetë stratosferike. Në horizont, parizienët kanë edhe punësimin e Leo Messi dhe Sergio Ramos. Dy futbollistë, veçanërisht argjentinasi, që kërkojnë rroga të majme, ndaj është e vështirë për t’u menaxhuar buxheti.

Vetëm një javë më parë, Leonardo, drejtori sportiv i PSG, konfirmoi interesin e tij për të marrë Leo: “Lojtarë të mëdhenj si Messi do të jenë gjithmonë në listën tonë”. Andrea Agnelli, presidenti i Juventusit dhe ECA (Shoqata Europiane e Klubeve), paralajmëroi në tetor se pritet një “kolaps i të ardhurave të klubeve të futbollit me humbje prej rreth 4.000 milionë euro në dy vitet e ardhshme”.

Mungesa e tifozëve në stadium dhe të gjitha pasojat që rrjedhin nga pandemia, të tilla si zvogëlimi i të drejtave televizive etj., do t’i detyrojnë ekipet të ristrukturojnë përbërjen dhe pagat për sezonet e ardhshme, nëse duan të nivelojnë bilancet, në respektim edhe të “fair play financiar” të UEFA-s.