Një ftesë për të bërë skuadër, me disiplinë. E më pas, edhe një detyrë: “T’i mësojnë të rinjtë ta ngrenë shikimin lart, posaçërisht ata, që e kanë zakon të shikojnë poshtë. Pa harruar kurrë se kush luan basketboll, shikon drejt qiellit”. Me këto fjalë e priti Papa Françesku sot paradite në audiencë, në Sallën Klementine, në Vatikan, një delegacion të Federatës Italiane të Basketbollit.
Pasi iu kujtoi lojën e diskutuar të vitit 1955 në Sheshin e Shën Pjetrit, para Piut XII, Papa u foli për rëndësinë që ka “loja në skuadër, e luajtur me disiplinë”. Federata Italiane e Basketbollit është organ drejtues i këtij sporti në Itali. E krijuar në nëntor të vitit 1921, përgatitet të kremtojë 100-vjetorin e themelimit.