Papa Françesku është shtruar në spitalin Gemelli të Romës pasditen e së mërkurës. Lajmi u konfirmua nga Vatikani përmes një deklarate për media ku thuhej se Ati i Shenjtë po kryente disa kontrolle të planifikuara më parë.
Ndërsa në një deklaratë të dytë u sqarua se Ati i shenjtë kishte pasur vështirësi në frymëmarrje ditët e fundit dhe nga analizat e kryera rezultoi se ai kishte një infeksion respirator, por testimi për Covid-19 kishte rezultuar negativ. Edhe problemet nga zemra janë përjashtuar pas testimeve të kryera.
Papa do të qëndrojë disa ditë në spital për tu mbajtur nën kontroll. Përveç një interviste të programuar pasditen e sotme janë anuluar edhe pritjet e planifikuara për të enjten dhe të premten. Papa po qëndron në katin e 10-të të spitalit ku u operua në korrik të 2021-it pas disa problemeve në zorrën e trashë. Në atë kohë ai qëndroi 10 ditë në spital.
Mediat italiane thonë se për momentin gjendja e Papës nuk është shqetësuese. 86-vjeçari tha në një intervistë pak kohë më parë se pas operacionit kishte më pak shqetësime teksa pranoi se problem i vetëm ishte gjuri i tij që e detyronte të lëvizte me shkop ose karrige me rrota.
Ai tha se preferonte të mos e bënte operacion pasi nuk dëshironte të përsëriteshin efektet anësore nga anestezia. Para një jave Papa Françesku mbushi 10 vjet në krye të selisë së shenjtë.