Territori shqiptar do të vijojë të mbetet nën ndikimin e të nxehtit afrikan. Temperaturat do të jenë të larta edhe këtë të shtunë sipas MeteoAlb.

Në gjysmën e parë të ditës, territori do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të pakta kryesisht përgjatë shtrirjes lindore.

Sakaq, gjatë pasdites vranësirat do të jenë më të dukshme në zonat veriore, ndërsa mbrëmja do të sjellë sërish një mot të kthjellët në pjesën më të madhe të territorit të vendit.

Temperaturat e ajrit do të rriten gjatë mëngjesit dhe mesditës, me vlerat ditore që do të luhaten nga 17 gradë Celsius në 39 gradë Celsius.

Sa i përket erës, ajo do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 35km/h nga drejtimi veriperëndimor duke krijuar dallgëzim 2 ballë në brigjet detare.