Leandro Paredes-Juventus, e kryer. Dhe nuk është vetëm një thënie. “Tymi i bardhë” mes bardhezinjve dhe PSG-së erdhi brenda natës, më pak se 48 orë para përfundimit të merkatos së transferimeve dhe pas një dite të re negociatash të pafundme në aksin Paris-Torino.

Negociatat u mbyllën, siç pritej, dhe të gjithë janë të lumtur. Duke filluar nga mesfushori argjentinas 28-vjeçar, i cili prej muajsh e kishte parë veten vetëm si lojtar i Juventusit, ashtu si miku dhe bashkatdhetari i tij Angel Di Maria. Të kënaqur ishin edhe

drejtuesit e Juventusit dhe PSG, të cilët i kanë “lustruar” deri në fund detajet e marrëveshjes. Kemi të bëjmë me huazim, me të drejtë blerjeje, që mund të shndërrohet në detyrim me plotësimin e kushteve të caktuara. Një operacion që mund të kushtojë në total 20 milionë euro mes huazimit vjetor, blerjes përfundimtare dhe bonuseve.

Drejtori sportiv Federico Cherubini “shënoi golin” e gjashtë të verës, pas Di Maria, Paul Pogba, Gleison Bremer, Filip Kostic dhe Arkadiusz Milik, duke i dhënë Massimiliano Allegrit mesfushorin qendror që kërkonte nga pranvera. Sipas burimeve pranë Paredes, argjentinasi do të jetë në Torino në mbrëmje, pasi të ketë kryer kontrollet mjekësore në mëngjes në Paris.

Paredes synon të thirret për udhëtimin e së shtunës në Firence. Dhe mbi të gjitha, në më pak se një javë ai do të rikthehet në Kullën Eifel si kundërshtar, së bashku me Di Maria, për debutimin e skuadrës së Allegrit në Champions League.