A ka gjë më të keqe se të humbasësh bagazhet në aeroport? Ndoshta t’i gjesh, por copëcopë. Pas një fluturimi të Etihad Airways nga Mançesteri në Kolombo (Sri Lanka), Karen Nowland shpaketoi çantën e burrit të saj (tashmë në gjendje të tmerrshme) për të zbuluar se të gjitha rrobat e tij ishin copëtuar.

Gruaja më pas postoi një postim në Twitter, duke fotografuar burrin e saj të veshur me atë që kishte mbetur nga rrobat e tij: “Hej @etihad shiko çfarë ndodhi me çantën e burrit tim diku midis Mançesterit dhe Kolombos!”, shkroi të martën.

“Pse po i injoroni emailet tona drejtuar @EtihadHelp? Burri im duket si një pirat. Jo saktësisht pamja tropikale e pushimeve që kishte në mendje”.

Fotot tregojnë një grumbull veshjesh burrash të copëtuara, dhe burrin e saj të veshur si një “pirat”: një pjesë e një këmishë blu tërësisht të grisur, një këmishë me vija pothuajse pa pjesën e pasme dhe pantallona të shkurtra kaki të copëtuara.

Postimi ka patur shumë reagime, duke përfshirë disa vërtet të këndshme: “Ju mendoni se dikush paguan shumë para për t’u veshur kështu!”, ose: “Më falni, por pirati duket i tronditur!”.

Zonja Nowland më vonë tha se ajo mori një telefonatë nga një përfaqësues i Etihad në aeroportin e Colombo të martën. “Ai më tha se nuk ka autoritet të bëjë asgjë tjetër përveçse të kërkojë falje. Është shumë irrituese!”.

Një zëdhënës i Etihad Airways tha më pas: “Ne nuk ishim në dijeni të këtij rasti, por kontaktuam drejtpërdrejt pasagjerin për të ofruar mbështetje të plotë sapo u njoftuam.

“Fatkeqësisht, pasagjerit iu dhanë informacione të pasakta kontakti për të ngritur një kërkesë për bagazhe, por tani jemi të vetëdijshëm se kjo do të zgjidhet shpejt. Pasagjerët mund t’i tërheqin shpejt dhe lehtë bagazhet në internet në adresën https://www.etihad.com/en-ae/help/delayed-baggage”.