Ish-kapiteni i kombëtares së Anglisë, David Beckham, ka marrë shumë kritika për shkak të promovimit që i ka bërë Katarit në prag të Kupës së Botës.

“Është perfeksioni për mua: një vend fantastik për të kaluar disa ditë”, ka thënë ish-futbollisti në një reklamë për promovimin e turizmit në Katar.

“Pres me padurim t’i dërgoj fëmijët e mi atje”, është mbyllur mesazhi i ish-mesfushorit, që është pasuar nga shumë kritika.

Kritikët e kanë cilësuar zgjedhjen e Beckham për të promovuar Katarin si “naive”. Edhe vendimi i FIFA-s për të zhvilluar Kupën e Botës në Katar është kritikuar ashpër për shkak të historisë së vendit me shkeljen e të drejtave të njeriut.

Femrat në Katar duhet të marrin lejen e një gardiani mashkull për t’u martuar ose për të studiuar jashtë shtetit me bursa shtetërore.

Më shumë se 6.500 punëtorë emigrantë kanë humbur jetën gjatë kohës që po ndërtonin stadiumet për Botërorin, sipas një hetimi të bërë nga The Guardian.

Pasi videoja është postuar online, Beckham, i cili është një ambasador i UNICEF-it, është sulmuar ashpër në rrjetet sociale.

Disa kanë kujtuar kritikat e bëra nga ish-futbollist për vendimin për të zhvilluar Kupën e Botës në Rusi dhe Katar, duke supozuar në një intervistë se FIFA mund të ishte “korruptuar”.