Ka përfunduar në fund të detit një nga atraksionet e shumta të Honk Kong. Bëhet fjalë për restorantin e famshëm lundrues “Jumbo”. Ai është shkatërruar nga një stuhi në Detin Kinez, pak ditë pasi anija-restorant nisi lundrimin e saj në kërkim të një strehe të re.

“Jumbo” ishte parkuar në portin e Hong Kong prej gati 50 vitesh. Për shkak të pandemisë Covid-19, restoranti ishte mbyllur dhe së fundi ishte në kërkim të një sistemimi më ekonomik.

Struktura kishte një vlerë 4.7 milionë dollarë dhe ishte ndërtuar në vitet ’70 nga Stanley Ho, një manjak i kazinove, duke e bërë një atraksion për Hong Kong.

Ditët e fundit, “Jumbo” kishte nisur lundrimin për t’u spostuar në një vend sekret në jug-lindjen e Azisë, pasi mirëmbajtja e tij kishte një kosto të papërballueshme nga ata që e menaxhonin atë.

Anija lundruese ishte projektuar për t’u ngjarë pallateve antike kineze dhe ka mirëpritur mjaft personazhe të njohur si Mbretëresha Elisabetë, Tom Cruise apo presidentin amerikan Jimmy Carter. Aty janë xhiruar disa filma me Bruce Lee dhe agjentin 007, James Bond.

“Jumbo” ishte 80 metra e gjatë dhe mund të mbante deri në 2000 persona. Kishte edhe disa anije shoqëruese për kuzhinën e disa tragete të vegjël që transportonin njerëzit. Prej vitit 2013, anija kishte nisur të pësonte humbje si pasojë e largimit të peshkatarëve, ndërsa pandemia i dha goditjen e fundit.

Në marsin e vitit 2020, pronarët deklaruan se kishin pësuar një humbje që kalonte shifrën e 13 milionë dollarëve. Ata thanë se anija nisi të përmbysej ditën e shtunë, kur u përball me kushte të vështira atmosferike. Përpjekjet për ta shpëtuar nuk mjaftuan dhe më pas nisi evakuimi i stafit.

Anija u përmbys përfundimisht ditën e diel, në një zonë ku thellësia kalon 1000 metrat. Asnjë person nuk humbi jetën.