Në emisionin e mëngjesit “Aldo Morning Show” që transmetohet në Tv Klan është diskutuar ditën e sotme mbi emrat, a duhen përdorur ato shqiptarë apo të huaj.

Veç telefonatave të përditshme që vijnë në drejtim të emisioni, e ftuar përmes Skype-t ishte edhe përgjegjësja e Statistikave Sociale në INSTAT, Olta Caca. Ajo zbuloi disa të dhëna për emrat dhe përdorimin e tyre në Shqipëri, duke na treguar edhe preferencat e shqiptarëve, ku anojnë më shumë ata.

E pyetur nga moderatori se cilët janë emrat më të përdorur në Shqipëri, Caca u përgjigj: Arben, Gëzim, Lindita dhe Mimoza. Sigurisht që ky trend ka kurbën e vet secili prej emrave më të përdorur. Kuptohet që Mimoza për shembull ka një frekuencë për të lindurat në vitet ’70, Lindita në vitet ’70-74”.

Gjithashtu, Caca tregoi edhe dy emrat më të përdorur për djem dhe vajza për vitin 2021, pasi për vitin 2022, statistikat nuk janë nxjerrë ende.

Amar është për meshkujt (416 raste) dhe Ajla është për femrat (350 raste), këto janë frekuencat më të larta të vendosura për 2021 se 2022 akoma nuk e kemi nxjerrë”- tha Olta Caca për emisionin “Aldo Morning Show”.

Më tej, ajo tha se cilido qytetar që ka kuriozitet rreth emrit të tij, për të mësuar se sa herë është përdorur, shpërndarjen gjeografike, vitet se kur ky emër është përdorur më shumë, mund t’i shohë të dhënat në faqen zyrtare të INSTAT.