Fotoja ku një vullnetare 20-vjeçare spanjolle, Luna Reyes, përqafon një emigrant me ngjyrë nga Afrika, është kthyer në një foto-simbol të krizës së emigrantëve në zonën e Ceuta. Një zonë që ndodhet në Afrikën Veriore, por që i përket territorit spanjoll, ku ditët e fundit po mësyjnë përmes detit dhe tokës mbi 6000 emigrantë.

Kjo foto ka bërë xhiron e botës, por mjaft racistë kanë sulmuar dhe kërcënuar vullnetaren spanjolle, duke shprehur urrejtjen e tyre ndaj emigrantëve dhe personave me ngjyrë. Për pasojë, Luna Reyes është detyruar të mbyllë profilet e saj në rrjetet sociale.

Unë thjesht sa përqafova një njeri që ishte në gjendje të dëshpëruar. Ai mendonte se do të vdiste, kishte kaluar kufirin me not bashkë me një shokun e tij. Në atë moment ai dukej i pashpresë, i dërrmuar dhe shkatërruar psikologjikisht e fizikisht. Ai përqafim ishte përgjigjja më normale që mund t’i jepja për t’i dhënë pak shpresë”, tha vullnetarja spanjolle për RTVE.