Aktori i njohur i filmave shqiptarë, sot edhe pedagog në Fakultetin e Arteve dhuroi emocione të mëdha për publikun me rrëfimin e tij. Ai ishte i ftuar në emisionin ‘S’e Luan Topi’, ndërsa ka treguar për të gjithë publikun sakrificat që ka bërë për familjen e tij. Aktori ka zbuluar se ka punuar shofer për fëmijët e tij.

“Sot, njerëzit shkojnë deri në mburrje kur nuk shprehin dashurinë ndaj gruas. Disa thonë gruaja ka punën e saj, unë kam punën time. Ne nuk jemi kështu. Ne jemi bashkë. Ne jetojmë bashkë. Kemi rritur fëmijët me mund, me sakrificë. Kam punuar shofer unë për ata fëmijë”.

Sipas Malajt, neglizhenca ndaj familjes është neglizhencë ndaj shoqërisë.

“Neglizhenca që mund të kesh sot ndaj familjes, është një neglizhencë e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për shoqërinë. Unë i qëndroj një fakti tjetër. Ne si shoqëri vuajmë nga shumë gjëra. Ama ajo që na ka bërë të vuajmë më shumë është shkatërrimi i familjes.

Që kur në ’97, babai i tha djalit bravo që solle thesin e miellit në shtëpi, i rrihte shpatullat që sillte automatikun në shtëpi. I thoshte djalit vidh, i thoshte merr armën. Shkatërrohet familja. Ku ka më familje më pas? Sepse ai nuk të pyet më”- tha Petrit Malaj në emisionin ‘S’e luan Topi’.