Një pasagjer, pa asnjë lloj përvojë në fluturim, ka arritur të ulë në pistë një avion të vogël. Ai mori komandën e avionit pasi piloti i saj pati dhimbje e kriza në kohën që ishin në fluturim. Ngjarja ka ndodhur në Florida (Amerikë).

CNN ka publikuar edhe një moment nga komunikimi audio mes pasagjerit, që ndodhej në bordin e një avioni Cessna 208 Caravan dhe kullës së kontrollit. “Është një situatë emergjencë këtu. Piloti im nuk ndihet mirë. Nuk kam idenë se si ta pilotoj avionin”, thotë pasagjeri.

Në ato momente, personeli i kullës së kontrollit ka nisur t’i japë instruksione pasagjerit se si të ulë avionin në pistë. “Përpiqu të mbash krahët e avionit në nivel dhe përpiqu të ulesh. Shty përpara dorezat dhe zbrit me ngadalë”, dëgjohet në instruksionet që i jep kontrollori pasagjerit.

Pasagjeri, që për fat të mirë në asnjë moment nuk kaloi në panik, ndoqi për mrekulli këshillat dhe imstruksionet e personelit të kullës së kontrollit. Ai arriti ta ulë avionin në aeroportin ndërkombëtar të Palm Beach. “Urime prë pilotin e ri”, ka qenë komplimenti që i ka dhënë kulla e kontrollit.