Inter-Juventus do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme në këtë fazë të kampionatit italian, me Milan-in kryesues që do ta ndjekë me shumë interes Derbin e Italisë.

Stefano Pioli ka folur për momentin e kuqezinjve në konferencën për shtyp të zhvilluar në prag të ndeshjes së të hënës kundër Cagliari-t.

“Ne po bëjmë një punë të mirë, jemi të vetëdijshëm, por duhet të vazhdojmë kështu. Titulli kampion i dimrit ka një vlerë relative, jemi të përqendruar te ndeshja me Cagliari-n, që e konsiderojmë më të rëndësishmen të kampionatit”, ka thënë Pioli.

“Rikuperimi i Ibrahimovic është thelbësor: e dimë atë që mund të na japë, në aspektin e mentalitetit dhe cilësisë, ka nevojë që të gjejë përsëri ritmin e ndeshjes, por është gati për të luajtur, i ka kaluar shqetësimet muskulore”.