Beatrix Ramosaj është një nga këngëtaret më të njohura në Shqipëri, e cila kohët e fundit është vendosur shpesh në qendër të mediave rozë, për shkak të trekëndëshit të krijuar Donald – Bora – Trixa. E së fundmi, këngëtarja shqiptare është rikthyer me një këngë të re.

“Më ndikon”, ky është titulli i këngës së re të Beatrixës, që është shkruar nga vëllai i saj, Alban Ramosaj. Për më tepër, Beatrix e ka shoqëruar këngën e saj të re edhe me një klip, ku këngëtarja duket e veshur e gjitha me të bardha.

Mirëpo, në fakt , ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen ka qenë teksti i këngës, tepër i ndjerë e që ka ngritur dyshimet te fansat, se kënga e re mund të jetë dedikim për Donaldin, ish-partnerin e saj, me të cilin krijoi një lidhje dashurie brenda shtëpisë së Big Brother.

“Epshi, Lakmia, për famë të verboi, pirat i dashnisë unë ty po të mallkoj”, thotë ndër të tjera Trixa në këngën e saj të re. Nuk ka dyshime që ky tekst mund të jetë një dedikim i qartë kundrejt Donaldit, i cili së fundmi ka konfirmuar ribashkimin e tij me ish-partneren e tij, moderatoren e njohur, Bora Zemani.