Lumturia pas triumfit të Superkupës ndaj Napolit është e pashmangshme, por Pirlo e di mirë që në kampionat nuk lejohet më asnjë gabim. “Ky trofe ndihmon për të fituar, – janë fjalët e trajnerit bardhezi në konferencën për shtyp. – Ekziston një entuziazëm i madh. Përkundër pak lodhjeje, ne jemi stërvitur mirë për kundërshtarin e radhës, Bologna.

Nuk kemi qenë të vazhdueshëm, por ngritjet dhe uljet janë një problem, që të gjithë e kanë pasur, siç konfirmojnë rezultatet. Pothuajse të gjithë pësojnë gola, ka pak kohë për përgatitje dhe shumë lojëra, çka çon në lodhje mendore. Ne jemi duke punuar për këtë, mungesa e vazhdimësisë na ka bërë të humbasim pikë. Kjo mund të jetë thembra jonë e Akilit.

Unë kam punuar që nga dita e parë me të njëjtin entuziasëm dhe të njëjtën dëshirë. E di që duhet të përmirësohem, skuadra dhe unë mund të rritemi. Të fitosh një trofe nuk ndryshon asgjë për mua, sepse dua të ngre shumë të tjerë. Gara për titull zhvillohet mes 5-6 ekipeve të para, por për momentin Milani duhet të mposhtet, sepse ka krijuar epërsi. Po mendojmë të fitojmë shumë ndeshje, sidomos përplasjet direkte në Torino, pastaj të shohim se ku do të jemi në prill”.