Juventusi do të dalë në fushë nesër kundër Sassuolo, në ndeshjen e planifikuar të luhet në “Allianz Stadium”. Bardhezinjtë e filluan vitin 2021 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar dy ndeshjet e para kundër Udinese dhe Milan. Kësisoji, e kanë zvogëluar hendekun nga kuqezinjtë e kreut në 7 pikë, me një ndeshje akoma për ta luajtur. Prandaj, “Zonja e Vjetër” dëshiron t’u japë vazhdimësi rezultateve që karakterizuan dy ndeshjet e para. Nesër do të jetë një tjetër provë për ekipin e Pirlo, i dëmtuar në mbrojtje nga COVID-19.

SASSUOLO – “Do të jetë një ndeshje e vështirë. Ata janë një ekip i shkëlqyeshëm, që luajnë së bashku për disa vjet. Kanë një trajner të shkëlqyeshëm, mjaft i mirë në ndërtimin e lojës. Ne do të duhet të jemi të kujdesshëm, të mos bëjmë gabime”.

JUVENTUSI – “Kushdo që është i pari në renditje mbetet gjithmonë ekipi për t’u mundur. Ne e dimë që jemi ekip që ka fituar për 9 vjet dhe është normale që kemi presion për të fituar, por unë e konsideroj të parin në renditje, atë që duhet mposhtur”.

MBROJTJA – “Demiral është më i gatshëm se Chiellini. Giorgio po stërvitet dhe do të jetë në gjendje të nisë nga fillimi”.

PROGRESI – “Gjithmonë ka diçka për të përmirësuar, ndeshje pas ndeshjeje. Ne kemi shënuar gola në këto dy ndeshje të fundit, por duhet të përmirësojmë forcën mendore. Shpesh, kur shënojmë kemi minuta që jemi me kokën në re. Na duhet më shumë përqendrim, sepse kur prish një lojë, minutat e para janë thelbësore për të sjellë më pas rezultatin”.

“SAN SIRO” – “Ishte një fitore e rëndësishme në një moment të rëndësishëm, por duke mos pasur vazhdimësi, pra duke mos  fituar nesër, është sikur të mos kemi bërë asgjë”.

QASJA – “Deri më tani u jemi përgjigjur më mirë rivalëve të mëdhenj, por nuk ka pse të jetë kështu, sepse 3 pikë vlen çdo ndeshje. Dëshira jonë për të kërkuar fitore duhet të jetë gjithmonë e njëjtë. Tri pikët e nesërme janë më të rëndësishme se të mërkurës”.

KULUSEVSKI – “Ai është mirë, do të shohim nëse nesër nis si titullar apo angazhohet kur loja të jetë në zhvillim”.

COVID – “Më prek si të gjithë trajnerët. Ne duhet të vazhdojmë, le të mendojmë të punojmë me ato që kemi”.

MORATA – “Është më mirë, po stërvitet veçmas dhe le të shohim nëse mund të jetë në stol nesër”.

ARTHUR – “Është më mirë. U përplas kundër Atalantës, mori një goditje që e mbajti larg për disa kohë. U kthye nga pushimet me dhimbje, por tani po shërohet. Është më mirë dhe i rikuperuar, mund të luajë me këdo, sepse e njeh futbollin dhe i kupton momentet e ndeshjeve”.

CHIESA – “Unë i dija cilësitë e tij dhe ato që mund të na jepte. Mund të përmirësohet shumë, është 22 vjeç, nuk ka bërë asgjë akoma. Ai mund të bëhet një kampion i madh, por duhet të rritet dhe të përmirësohet. Duhet ta tregojë veten te Juve në çdo ndeshje. Performanca e “San Siro” duhet të jetë një pikënisje”.

BERNARDESCHI – “Është mirë. Më vjen keq që nuk jam në gjendje ta aktivizoj vazhdimisht që nga fillimi. Ai po stërvitet mirë, kur ka hyrë në fushë, gjithmonë ka dhënë 100%. Do të ketë shanset e tij, por në këtë periudhë preferova zgjidhje të tjera. Fakt mbetet që ai do të na japë një dorë të shkëlqyeshme”.