Fitorja e tretë radhazi për Juventusin, që e sheh veten -1 pikë nga Roma dhe i bën presion Interit, kundërshtari tjetër, që e pret në ndeshjen direkte, të planifikuar për të dielën në mbrëmje, në “San Siro”. Ndeshje e pafat me Sassuolo nga pikëpamja e lëndimeve: të dy, McKennie dhe Dybala u ndaluan gjatë lojës, ndërkohë që Pirlo u përpoq të hidhte dritë mbi këtë, në intervistën pas ndeshjes me “Sky Sport”: “Dybala ka një traumë në kolateralin e brendshëm, pak poshtë gjurit. McKennie kishte një problem me psoasin e tij dhe sot ndjeu disa dhimbje, pas goditjes me thembër”.

Juventusi nuk është perfekt, por me disa të meta. Tri pikët arritën gjithsesi dhe kjo është ajo që vlen për trajnerin nga Brescia: “Ishte e rëndësishme të kishim vazhdimësi dhe të fitonim, përndryshe suksesi në “San Siro” do të ishte i padobishëm. Ne ishim pak të çrregullt dhe të detyruar ta ngrinim qendrën e gravitetit, por në fund llogariten tri pikët”.

Ndeshja e madhe me Interin është tashmë në mes të vëmendjes. Megjithatë, mendimet u kthyen te Kupa e Italisë, te dueli që do të luhet kundër Genoa: “Këto janë ndeshje të shkëlqyera për këdo për t’u luajtur. Ne kemi shumë kampionë të përgatitur për të përballuar këtë lloj sfide. Tani le të mendojmë për Kupën e Italisë, pastaj do të përqendrohemi te Interi. Dy nga tri rezultate në “San Siro”? Jo, ne jemi Juventusi dhe kemi presion për t’i fituar të gjitha ndeshjet, për të luajtur sikur të ishin finale”.