Super aktorja turke, mjaft e talentuar dhe e dashur, jo vetëm për publikun turk, por edhe atë shqiptar përmes roleve të saj, Demet Ozdemir i ka dhënë fund beqarisë në moshën 30-vjeçare.

Ajo ka kurorëzuar me martesë dashurinë e saj me artistin turk Oguzhan Koç, me të cilin është në një marrëdhënie prej disa kohësh. Dasma e tyre u zhvillua në Stamboll, në një hotel në Sariyer ku emra të njohur nga arti turk morën pjesë.

Demet Ozdemir, e njohur për disa role në serialet turke, kryesisht në serialet komike por jo vetëm, pranoi propozimin për martesë të artistit më 14 shkurt.

Çifti fillimisht kurorëzoi dashurinë me fejesë në muajin qershor, ndërsa ditën e djeshme u zhvillua edhe ceremonia e martesës, ku Demet dhe Oguzhan i thanë “Po përgjithmonë” njëri-tjetrit në praninë e familjarëve, miqve e kolegëve të tyre. Edhe pse dasma ishte planifikuar të mbahej më 26 gusht, për shkak të kushteve jo të mira atmosferike, u shty për të dielën e 28 gushtit.

Një dasmë ku aktorja turke veshi dy fustane tepër të bukura, që u shoqëruan edhe nga një gjerdan dhuratë nga artisti. Sipas asaj që bëjnë me dije mediat turke, ky gjerdan ishte i vetmi në Turqi dhe çmimi i tij shkonte deri në 860 mijë lira turke.

Demet Ozdemir njihet për rolet e saj të shumta nga shqiptarët, si : Sanem (Erkenci Kus), Lale (Dhoma309), Ajla (Kurt Seit dhe Sura), Asllë (Ëndërr luleshtrydhesh) etj.