Ish-sulmuesi i Kombëtares, Altin Rraklli përmes një interviste për Sport Ekspres ka reaguar për humbjen e mbrëmshme të Shqipërisë ndaj Izraelit dhe ka kritika të shumta për Brojën.

Si e vlerëson performancën e Shqipërisë në humbjen me Izraelin? Ne kemi bërë volum pune dhe krijuam raste. Ndodhi ajo që kishim frikë, nuk i shfrytëzuam rastet tona. U treguam shumë të pakujdesshëm në mbrojtje, patjetër që mungesa e Kumbullës dhe Gjimshiti krijoi një hapësirë në prapavijë. Kjo i dha Izraelit mundësi që të na depërtonte.

Golat erdhën nga pakujdesia jonë, nuk është se na kapën në befasi. Uzunin unë e thashë dhe më parë që shënon gol, nuk e thashë më kot, isha i sigurt. Një lojtar kur ka ecuri, fiton shumë besim. Potencialin e ka dhe prandaj ishte mundësia e lartë që të shënonte. Nuk kam gjë as me Cikalleshin dhe as me Brojën, por Uzuni do t’i shërbente shumë Shqipërisë nga minuta e parë.

Dy rastet e humbura nga Armando Broja. Ishin një pasqyrim më tepër i minutave te Chelsea apo fakti se luan pa asnjë presion edhe me fanellën e Kombëtares, pa pasur ndonjë përjetim ndryshe? Broja është një lojtar me potencial të jashtëzakonshëm. Nëse do të kishte shfrytëzuar atë potencial, të mos jetë egoist dhe të punonte për skuadrën, do të kishim fituar. Në rastin e parë ishte i pafat, portieri e kapi topin rastësisht. Në rastin e dytë duhej të pasonte për shokun e ekipit.

Duhet të tregohet më kolektiv nga çfarë është. Fanella e Kombëtares është e rëndë, unë e them nga eksperienca. Kam luajtur në Bundesligë, luaja kundër Bayern Munchen dhe Dortmund, i shënoja. Kur vija pastaj te Kombëtarja kisha emocion të jashtëzakonshëm kur këndoj himni kombëtar. Nëse lojtarët sot nuk e ndiejnë këtë, atëherë ka diçka që nuk shkon. Pastaj i duket Kombëtarja si klub, kjo nuk duhet të ndodhi.

Këtu nisemi edhe nga deklarata e Brojës para ndeshjes, që u shpreh se nuk ndien presion pasi luan “për qejf”… Nëse unë them që luaj për qef me ekipin kombëtar nuk shkon, Kombëtarja është krenari, është emblem. Në klub ti siguron jetën sepse paguhesh, me Kombëtaren nuk siguron jetën, por prestigjin dhe krenarinë e jetës. Kjo është ajo që duhet kuptuar.