Mauricio Pochettino ka zbuluar se ishte afër huazimit të Lionel Messit tek Espanyol, ndërsa qëndroi i heshtur për thashethemet që lidhnin argjentinasin e tij me PSG. “Messi te PSG? Pa koment. Kur isha tek Espanyol apo Southampton, ëndrra ime ishte të kisha lojtarët më të mirë në klub. Messi ishte afër huazimit tek Espanyol, – shpjegoi ish-trajneri i Tottenham për “El Larguero”. – Marrëveshja kishte avancuar mirë, por ai bëri një paraqitje të shkëlqyeshme parasezonale në trofeun “Gamper”.

Këtu ra poshtë gjithë marrëveshja ekzistuese mes klubeve. Ne jemi takuar gjatë viteve në vende të tilla si Londra apo Itali. Të dy ndajmë dashurinë për Newell’s, pasi të dy erdhëm në futboll përmes akademisë së saj. Kjo është lidhja jonë e përbashkët. Unë jam i vetëdijshëm për gjithçka që po ndodh me Messin. Me të vërtetë nuk dua të flas për të, pasi gjithçka del jashtë kontekstit pastaj”.

E ardhmja e Kylian Mbappe është ndoshta më shqetësuese në “Parc des Princes”. Sulmuesi francez ende nuk është zotuar të zgjasë kontratën e tij, e cila skadon në qershor 2022, me një lëvizje te Real Madridi në sfond. Pochettino sqaron situatën: “Klubi po punon për të mbajtur më të mirin, ai ka një të ardhme të madhe përpara tij. Cili trajner nuk do të donte të punonte me Mbappe? Kylian dhe Neymar më kanë mirëpritur dhe janë të hapur për një propozim të ri futbolli. Unë vetëm mund t’i falënderoj për pritjen e ngrohtë”.