Policia e shtetit, përmes një njoftimi të bërë publik sot, ka bërë me dije se gjatë javës së kaluar ka konstatuar mbi 15 mijë shkelje të ndryshme nga ana e shoferëve. Më saktësisht, vetëm gjatë javës së kaluar janë vendosur 15.635 masa administrative ndaj shoferëve, për shkelje të ndryshme.

Nën pranga kanë përfunduar 97 shoferë automjetesh për arsye të ndryshme. Shumica janë kapur në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi të mjetit me të cilin qarkullonin. Mjaft gjoba janë vendosur për parkime të gabuara, masa që janë vendosur si nga policia e shtetit ashtu dhe ajo bashkiake.

Policia bën me dije se pas ngjarjeve të fundit, ku një person aksidentoi një familje një ditë më parë në kryeqytet, ka shtuar ndjeshëm kontrollet në rrugë dhe kërkon zbatimin e ligjit nga të gjithë shoferët. Ajo shton se do të ashpërsojë masat, duke mos toleruar askënd që synon të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor.