Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, iu bëri sot thirrje qytetarëve: “Kontribuoni në shkëputjen e zinxhirit të infektimit dhe bashkëpunoni me punonjësit e policisë”. Nisur nga shtimi i rasteve me Covid-19, drejtori Veliu ka theksuar se punonjësit e policisë në terren duhet të intensifikojnë kontrollet në lokale dhe duhet të ushtrojnë kontrolle të pandërprera në sheshe, bulevarde e në çdo ambient publik, duke treguar zero tolerancë ndaj atyre qytetarëve që nuk respektojnë masat dhe protokollet e sigurisë.

Ja deklarata e plotë e tij:
“Policia e Shtetit është e angazhuar për të zbatuar të gjitha detyrat që rrjedhin nga Akti Normativ, në kuadër të pandemisë. Çdo ditë jemi duke kontrolluar dhe monitoruar masat, por kjo situatë ka ardhur duke u rënduar. Jemi munduar të sensibilizojmë dhe qytetarët të na mirëkuptojnë, por shifrat e fundit në rritje dhe vala e fundit si në të gjithë Europën edhe këtu tek ne, na detyron që ne të veprojmë ndaj çdonjërit që thyen rregullat e vendosura për pandeminë.

Nga ana e Policisë së Shtetit do të ketë tolerancë zero për të gjithë qytetarët që nuk respektojnë masat anticovid, nuk vendosin maska, nuk respektojnë distancimin social dhe detyrimet e përcaktuara në e-Albania, për sa i përket distancave në lokal dhe oraret e mbylljes së lokaleve. Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, si dhe bizneseve, se Policia e Shtetit do të vazhdojë me seriozitet për të ndëshkuar çdo qytetar i cili nuk respekton këto rregulla.

Njëkohësisht u bëj thirrje qytetarëve që të jenë bashkëpunues me punonjësit e Policisë, sepse kjo thirrje që po ju bëjmë nuk është thjesht një kërkesë e shtuar e punonjësve të Policisë, por është një e mirë e cila duhet t’i shërbejë gjithë komunitetit dhe çdo qytetar ashtu si ne duhet të kontribuojë për të minimizuar dhe shkëputur zinxhirin e pandemisë.

Një kontribut i çdonjërit nga ne është një vlerë e shtuar dhe është një ndihmë jashtëzakonisht e madhe që i jepet kontributit që duhet të japi çdo qytetar për të mposhtur pandeminë. Ju lutem, respektoni rregullat dhe përgjigjuni të gjitha thirrjeve të cilat janë të vendosura në kuadër të pandemisë!”