Një duzinë grash, që pozonin plotësisht të zhveshura në ballkonin e një “rrokaqielli” në Dubai, u filmuan dhe video e tyre bëri shpejt xhiron e internetit. Po kështu, shkaktoi një seri arrestimesh. Videoja inkuadron ballkonin e një ndërtese në lagjen elegante “Marina”, duke i tronditur autoritetet e Emirateve Arabe. Ligjet e vendit ndalojnë pirjen e alkoolit në publik pa leje, puthjen publike dhe ndarjen e përmbajtjes pornografike.

Të gjitha krimet kundër mirësjelljes publike dënohen me burgim. As identiteti, as kombësia dhe as numri i saktë i personave të arrestuar nuk dihen. Por, ato do të duhet të përgjigjen për krimin e “shthurjes”, për të cilin rrezikojnë deri në gjashtë muaj burg dhe gjobitje prej një mijë euro. Sipas gazetës shtetërore “The National”, imazhet e femrave të zhveshura mund të jenë një “marifet publiciteti”, por nuk e specifikoi.

“Një sjellje e tillë e papranueshme, – tha policia, – nuk pasqyron vlerat dhe etikën e shoqërisë sonë”. Në fakt, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ligje të rrepta për shprehjen e lirë. Rastet e njerëzve të burgosur për komentet dhe videot e tyre në internet nuk janë të pazakonta, ndërsa kompanitë e mëdha shtetërore të telekomunikacionit bllokojnë qasjen në faqet pornografike të internetit.