Presidenti i Argjentinës, Alberto Fernández, i cili mbushi 62 vjeç të premten dhe ishte vaksinuar kundër Covid-19, konfirmoi se doli pozitiv në testin e fundit të PCR. “Dua t’ju them se në fund të ditës së sotme, pasi pata ethe, temperaturë 37.3 gradë dhe një dhimbje koke të lehtë, bëra një test antigjeni, rezultati i të cilit doli pozitiv, – shkroi presidenti në llogarinë e tij në Twitter, mëngjesin e kësaj të shtune. – Megjithëse jemi në pritje të konfirmimit përmes testit PCR, unë tashmë jam i izoluar, duke respektuar protokollin aktual dhe duke ndjekur indikacionet e mjekut personal”.
Quería contarles que al terminar el día de hoy, luego de presentar un registro de fiebre de 37.3 y un leve dolor de cabeza, me realice un test de antígeno cuyo resultado fue positivo.
— Alberto Fernández (@alferdez) April 3, 2021
Fernández mori dozën e parë të vaksinës Sputnik-V më 21 janar dhe më tej, më 11 shkurt, mori edhe të dytën, siç raportohet nga presidenca e Argjentinës. Të njëjtat burime specifikuan se presidenti doli pozitiv në një “test të shpejtë”, por po pret konfirmimin e plotë me PCR, rezultati i të cilit do të mësohet për disa orë.
Fernández saktësoi më tej: “Për informacionin e të gjithëve, unë jam mirë fizikisht dhe, megjithëse do të kisha dashur ta mbaroja ditëlindjen pa këtë lajm, nuk e kam humbur humorn. Iu jam mirënjohës nga shpirti për shprehjet e shumta të dashurisë që më keni dhënë sot, duke kujtuar lindjen time”. Mesazhi i presidentit argjentinas përfundoi me kërkesën për qytetarët që të vazhdojnë të kujdesen për veten e tyre dhe të zbatojnë rekomandimet mjekësore, sepse “është e dukshme që pandemia nuk ka kaluar”.