Më 22 shkurt, në Romë, të gjithë anëtarët e futbollit italian do të shprehin preferencën e tyre në lidhje me presidencën e FIGC. Presidenti aktual, Gabriele Gravina, shpreson për një mandat të dytë, me reformën e kampionateve si një qëllim kryesor. I intervistuar nga “Corriere dello Sport”, Gravina bëri një vlerësim të situatës kontraktuale të trajnerit Roberto Mancini. Dëshira për t’u përqëndruar përsëri tek ai për rritjen e ekipit kombëtar është mjaft e qartë:

“Ai ka një kontratë, që skadon më 2022. Nëse mendojmë me logjikën e tregut të transferimeve, FIGC nuk mund të konkurrojë me klube, që kanë burime të mëdha financiare për të vendosur në tavolinë. Por, unë do të bëj gjithçka për ta mbajtur atë. Përparësia ime është vijueshmëria e Mancini me blutë. Nuk kam asnjë arsye të dyshoj se krenaria kombëtare është një vlerë e madhe për të. Roberto më tha: kur të doni, mund të flasim për rinovimin. Dhe së shpejti do të flasim për këtë”.

CONI prishi dënimin e Gjykatës Federale të Apelit për çështjen e Juventus-Napoli. Sipas Gravina, një sqarim legjislativ është i nevojshëm për të mos u ndeshur më me situata të tilla: “Bordi mbikëqyrës ka një rol shumë të qartë në drejtësinë sportive. Kjo është Gjykata jonë e Lartë. Por, Gjykata e Lartë është e ligjshmërisë. Ajo nuk duhet të hyjë në themel dhe të bëhet një shkallë e tretë e gjykimit. Sqarimi legjislativ është i nevojshëm urgjentisht, për të përshkruar juridiksionin. Përndryshe ne do të detyrohemi të apelojmë në TAR dhe më pas në Këshillin e Shtetit kundër dënimeve të CONI”.

Lidhur me Superligën Europiane, Gravina është në të njëjtën gjatësi vale me drejtuesit e UEFA-s: “Është një hipotezë që nuk e konsideroj me të vërtetë. Dhe unë mbështes atë që ka siguruar UEFA: Superliga Europiane nuk mund të bëhet. Nuk mendoj se Agnelli po fliste për këtë. Qëllimi është një tjetër: të rritet futboll, të forcohet Champions-i që nga viti 2024, pa hipotekuar kampionatet kombëtare. Askush që e do futbollin nuk mund të ngasë revolucione që ndryshojnë ekuilibrin e demokracisë sportive”.