Francesco Acerbi i afrohet Interit. Dita e fundit e merkatos mund të bëhet e dobishme për kompletimin e skuadrës së Simone Inzaghit, i cili e kishte kërkuar 34-vjeçarin për të “blinduar” skuadrën.
Qendërmbrojtësi shihet si elementi i duhur për të zëvendësuar në rast nevoje Stefan De Vrij. Presidenti Steven Zhang i ka dhënë “ok” operacionit dhe tashmë drejtuesit e Interit po përmbyllin detajet për “martesën”.
Marrëveshja po mbyllet me bazë huazimin, por me të drejtë blerjeje përfundimtare, për t’i lejuar Interit të mos ketë shpenzime të menjëhershme dhe më pas të vlerësojë në 12 muaj mundësinë e integrimit të Acerbit në skuadër për më shumë vite.
Roli i Simone Inzaghit dhe Giuseppe Marotta ishte thelbësor në këtë fazë, pasi ata i bënë pronarët e klubit të kuptojnë rreziqet e fillimit të sezonit pa një rezervë si qendërmbrojtës. Me vetëm një dëmtim, në fakt rrezikohej të cenohej qëndrueshmëria e prapavijës zikaltër.