Me siguri e keni vënë re që bebet kur lindin, ngjyrën e syve e kanë blu. Por ngjyra e syve që ata kanë kur lindin, nuk është domosdoshmërisht edhe ngjyra e syve që ata kanë disa muaj pasi kanë lindur. Irisi i syrit mund ta ndryshojë ngjyrën, duke u kombinuar me melaninën dhe gjenet. Dhe është kjo arsyeja se pse prindërit mendojnë se fëmija i ka sytë blu, teksa ngjyra mund të ndryshojë në muajt në vijim.

Por, ashtu sikurse ka gjasa të ndryshojë, ashtu ka edhe mundësi që ngjyra kafe apo blu të qëndrojë. Kjo varet shumë edhe nga familja, pasi fëmija mund të trashëgojë ngjyrën e syve nga një familjar dhe kësisoj, ndodh që ngjyra e syrit nuk ndryshon.

Kryesisht, gjatë muajve të pare, pasi fëmija ka ardhur në jetë, prindërit do të mësohen t’i shohin bebet e tyre me një ngjyrë të caktuar sysh. Por, nëse sytë e tyre janë të çelur, ka gjasa që kur bebet i afrohen ditëlindjes së tyre të parë, kjo blu të mos jetë më e njëjta nuancë, apo edhe të ndryshojë plotësisht.

Sipas ekspertëve, deri në kohën kur foshnjat arrijnë ditëlindjen e tyre të parë, ngjyra e syve të tyre do të formohet plotësisht. Megjithatë, periudha kohore midis gjashtë dhe nëntë muajsh është kur ngjyra e syve të foshnjave do të fillojë të ndryshojë. Gjë që mund të mos jetë e dukshme në fillim, pasi ndryshimi është gradual.

Sakaq, dy gjenet OCA2 dhe HERC2 janë dy gjenet kryeesore që përcaktojnë nëse ngjyra e syve të bebeve do të jetë blu, kafe, kafe e çelur apo jeshile. Edhe melanina luan rol kryesor në ngjyrën e syve te fëmijët e vegjel, pasi në momentin që ata ekspozohen ndaj dritës, melanina në sytë e tyre aktivizohet.