Kur mendojmë për macet dhe personalitetin e tyre na shkon menjëherë mendja te marrëdhënia e keqe që kanë me ujin.

Edhe pse kjo nuk vlen për të gjitha macet, pjesa më e madhe e tyre preferon të mos vihet në kontakt me ujin, përveçse kur janë duke luajtur me ujin e çezmës së lavamanit.

Shkencëtarët kanë sugjeruar se kjo sjellje vjen nga paraardhësit e felinëve. Historikisht macet janë pasardhës të felinëve që nuk kanë mësuar kurrë të notojnë sepse nuk e kishin të nevojshme, duke i bërë kafshët e sotme shtëpiake që të mos jenë të interesuara për ujin.

Po pse u pëlqen maceve që të luajnë me ujin e çezmës? Miqtë tanë leshtorë duket se pëlqejnë lëvizjen dhe tingullin e ujit, edhe në tasin e tyre të ujit.

Një tjetër arsye për mungesën e interesit ndaj ujit ka të bëjë me paraardhësit, të cilët e kanë marrë pjesën më të madhe të ujit që i duhej për të mbijetuar nga ushqimi i tyre.

Gjithashtu, maceve nuk u pëlqen të lagen sepse, siç dihet, kalojnë një kohë të gjatë duke pastruar veten dhe nuk u pëlqen të kenë një erë të ndryshme, gjë që shpjegon pse pjesa më e madhe e tyre nuk pëlqen të bëjë dush.