Bajram Begaj u zgjodh me 78 vota si President i Republikës së Shqipërisë, pas votimit të zhvilluar më 4 qershor, i cili pa edhe zhvillimin e raundit të katërt të zgjedhjes së kreut të shtetit në Parlament.

Takimin e parë pas marrjes së postit më të lartë institucional, Begaj e ka pasur pikërisht me një prej paraardhësve të tij jo vetëm në pozitën e Presidentit por edhe në ushtri, Alfred Moisiun. Vetë Moisiu ka folur mbi këtë takim, ku është shprehur me nota të larta konsiderate për Begajn.

“Unë mendoj se z. Begaj do të jetë një President i mirë, për vetë faktin jo vetëm se bisedova me të dhe pashë mendimet e tij, integritetin e tij. Sepse ka shumë rëndësi integriteti i Presidentit të Republikës aq më tepër në kushtet e politikës shqiptare, pasi këtu “të rrëmbejnë” për t’i zgjidhur problemet si i do njëri apo tjetri”, ka thënë Moisiu.

Sipas tij, Begaj duket një figurë shumë pozitive. Ndaj, ai ka bindjen se detyrën, do ta kryejë siç duhet – në interes të popullit. Ndër detaje të tjera të rrëfyera, Moisiu artikulon se nuk i ka dhënë ndonjë këshillë specifike presidentit të sapo zgjedhur.

Por, ai i ka dhuruar librin autorial të tijin, “Midis Nanos e Berishës”, ku përshkruhet e gjithë Presidenca pesë-vjeçare e Moisiut. Më tej, ish-presidenti deklaroi gjithashtu se do të kishte qenë mirë që të kishte pasur konsensus më të gjerë për figurën e Begajt.

Mirëpo, kjo gjë nuk u arrit, pasi politika më së shumti, shikon interesan e saj personal, se sa atë të përgjithshëm. Në përmbyllje, ai ritheksoi se Begaj i qe dukur një figurë me integritet dhe synimet për detyrën e re, i ka të qarta: Të ruajë interesant e kombit dhe popullit shqiptar.