Fabián Ruiz është lojtar i Paris Saint-Germain. Emri i mesfushorit spanjoll ishte lidhur me PSG-në pothuajse gjatë gjithë merkatos së verës por vetem ditën e sotme klubi parizien dhe Napoli kanë arritur marrëveshjen për kalimin e futbollistit nga Sevilla te kampionët aktualë të Ligue 1.
Napoli do të marrë 23 milionë euro nga ky transferim. Fabián Ruiz do të luajë te PSG deri në vitin 2027. Aktualisht, 26-vjeçari ka një vlerë tregu prej 55 milionë eurosh, por kontrata e ish-lojtarit napolitan do të përfundonte në qershor të vitit 2023.
Ai e kishte bërë të qartë synimin e tij për të mos vazhduar në skuadrën italiane. Prandaj, marrëveshja është mbyllur për një çmim më të ulët se vlera reale e kartonit të futbollistit.
🆕❤️💙 #WelcomeFabián
— Paris Saint-Germain (@PSG_English) August 30, 2022
Sakaq, Manchester City kërkon t’i rrëmbejë një tjetër “yll” Borussias së Dortmundit pas Erling Haaland. Citizens janë shumë pranë transferimit në “Etihad” të Manuel Akanjit, i cili është në vitin e fundit të kontratës në “Signal Iduna Park”.
Qendërmbrojtësi 27-vjeçar do të përforconte prapavijën e kampionëve në fuqi të Premier League, ku luajnë gjithashtu emra të tillë si John Stones, Rúben Dias, Aymeric Laporte dhe Nathan Aké. Dy të fundit janë të lënduar, ndaj drejtuesit e City-t kanë studiuar blerjen e Akanjit. Negociatat janë në rrugën e duhur dhe qendërmbrojtësi mund të bëhet nënshkrimi i pestë i Manchester City-t këtë verë në orët e ardhshme.
Sipas “The Athletic”, të dy klubet shpresojnë të arrijnë një marrëveshje që do të kalonte 17 milionë e gjysmë euro. Akanji është zviceran dhe ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me klubin gjerman.
Ai zbarkoi në Dortmund në vitin 2018, nga Baseli, por afrimi i Niklas Sule nga Bayern Munich dhe Nico Schlotterbeck nga Freiburg, e kanë minimizuar hapësirat për të në formacion. Akanji nuk ka luajtur asnjë minutë këtë sezon në fanellën e Borussias.