Në kuadër të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe 100-vjetorin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 28 korrik do të zhvillohet një koncert madhështor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.

Ka qenë vetë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj të cilët kanë njoftuar përmes rrjeteve sociale qytetarët shqiptarë për datën e këtij koncerti.

Ditë pas dite, ata kanë zbuluar edhe këngëtarët shqiptarë që do të performojnë në këtë koncert nesër.

Bien në sy emra të mëdhenj të botës së muzikës shqiptare, duke nisur nga Flori Mumajesi & Threedots, Fifi, Elton Deda, Xhensila Myrtezaj, Ylli Limani, Eneda Tarifa, Ronela Hajati, Anxhela Peristeri, Alban Skënderaj, Çiljeta e Soni Malaj.

Koncerti do të nisë në ora 19:00 ndërsa në fund të tij pritet të ketë edhe një spektakël fishekzjarrësh.

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbajtën në 19 korrik Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes tyre në Bruksel që shënoi edhe hapjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim të vendit tonë në Bashkimin Evropian.