Zyrihu dhe Gjeneva janë ndër dhjetë qytetet më të këndshme në botë në një renditje botërore të publikuar sot, ku zënë përkatësisht vendin e tretë dhe të gjashtë. Në krye është Vjena, e ndjekur nga Kopenhagen.

Kryeqyteti austriak renditet për herë të tretë – pas 2018 dhe 2019 – në krye të këtij indeksi global të prodhuar nga ‘Economist Intelligence Unit’, njësia e kërkimit dhe analizës e lidhur me të përjavshmen angleze The Economist.

Ekspertët vlerësuan stabilitetin e Vjenës, ofertat e saj arsimore dhe mjekësore, si dhe cilësinë e infrastrukturës së saj me rezultatin maksimal prej 100 nga 100. Krahasuar me indeksin “Economist” 2021, Zyrihu dhe Gjeneva janë përmirësuar edhe më shumë. Vitin e kaluar Cyrihu ishte në vendin e shtatë, ndërsa Gjeneva në të tetën. Të dy qytetet kishin bërë tashmë një hap përpara vitin e kaluar.

Midis dy qyteteve zvicerane – në vendin e katërt dhe të pestë – janë qytetet kanadeze të Calgary dhe Vancouver. Parisi shfaqet në vendin e 19-të, Brukseli në vendin e 24-të, Londra u mbyll në vendin e 33-të, ndërsa Barcelona është e 35-ta, tetë vende përpara Madridit (43)

Ndër qytetet e tjera, Milano është në vendin e 49-të, Nju Jorku në vendin e 51-të dhe Pekini në vendin e 71-të. Renditja e “Economist” merr në konsideratë 170 qytete në mbarë botën.

Sipas studimit “Global Liveability Index 2022”, cilësia e jetës së një qyteti matet mbi bazën e kritereve si stabiliteti, shëndeti, oferta kulturore, mjedisi, arsimi dhe infrastruktura. Kievi është përjashtuar nga renditja për shkak të luftës, ndërsa Moska bie në vendin e 80-të, duke humbur pesëmbëdhjetë vende.