Ashtu si çdo vit, divizioni i kërkimit dhe analizës, Economist Intelligence Unit (EIU) ka bërë raportin vjetor për të zbuluar qytetet ku jetohet më mirë.

Kështu, sipas këtij divizioni, këtë vit ka pasur shumë ndryshime sa i përket këtyre qyteteve, lidhur edhe me pandeminë globale covid-19 dhe luftën Rusi – Ukrainë.

Krahasuar me vitin e kaluar, në dhjetë vendet e para renditen qytete europiane dhe kanadeze, duke lënë pas qytetet në Australi dhe në Zelandën e Re që dominonin vitin e kaluar

EIU vlerëson kryeqytetin e Austrisë, Vjenën si qytetin më të mirë për të jetuar, ndërsa më tej vijnë Kopenhageni i Danimarkës, Kalgari,  në Kanada, Zyrihu i Zvicrës dhe Vankuveri në Kanada, duke plotësuar kështu “TOP 5” e qyteteve ku jetohet më mirë.

Viena ka qenë edhe më parë në krye të renditjes, në vitet 2018 dhe 2019, duke u rikthyer kështu e para në listë për njerëzit.

Sa i përket qyteteve të tjera ku jetohet mirë, lista vazhdon me Gjenevën e Zvicrës, Frankfurtin e Gjermanisë, Toronto në Kanada, Amsterdami në Holandë dhe vendi i dhjetë ndahet mes Osakës në Japoni dhe Melburnit në Australi.

Sakaq, Auckland i Zelandës së re që vitin e kaluar renditej në vendin e parë, këtë vit zbriti në vendin e 34-t, për shkak të kufizimeve nga covid-19.

Qytetet e tjera renditen më poshtë. Respektivisht, Milano i Italisë renditet në vendin e 49-të, ndërsa Parisi i Francës është i 19-ti në listë. Nju Jork renditet në vendin e 51-të, kurse Londra në vendin e 33-të, e ndjekur nga Barcelona në vendin e 35-të.