“Vladimir Putin më kërcënoi gjatë vizitës time zyrtare në Moskë në vitin 2006. Ai ka qenë gjithmonë i tillë, ai nuk ka ndryshuar tani, ai nuk ka ndryshuar me kalimin e kohës”.

Kështu ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Gordon Brown, i cili gjatë një interviste për “The Telegraph Magazine” tregoi disa anekdota në lidhje me presidentin rus dhe vuri gishtin kundër butësisë së treguar nga Perëndimi gjatë pushtimit rus të Krimesë në vitin 2014.

“Kur njerëzit thonë se Putini ka ndryshuar dhe është bërë kërcënues tani, ata e kanë gabim, ai më kërcënoi mua në atë kohë. Kjo është arsyeja pse nuk kisha iluzione se si ishte në të vërtetë”, fjalët e ish-kryeministrit britanik Brown, i cili kujtoi një takim me Vladimir Putin në 2006 në Moskë.

“Më vunë në një ndenjëse shumë të ulët që të mund ta shikoja nga poshtë lart, – vazhdoi Brown, – ai sigurisht që është një burrë relativisht i shkurtër dhe mban taka.

“Gjithsesi, atë ditë ai nxori disa letra dhe vazhdoi të lexonte të gjitha informacionet që kishte për mua, sikur donte të provonte se më njihte më shumë se unë njihja veten time. Kushdo që thotë se ka ndryshuar vetëm tani e ka gabim, më kërcënonte që atëherë”.

Sipas Brown, udhëheqësi rus i përgjigjet “një shfaqjeje force pa kompromis “. “Nuk kam pasur kurrë ndonjë iluzion se si ishte Putini, – shtoi ai, – e vetmja gjë që ai kupton është forca. Dobësi që do ta shfrytëzojë, sepse është oportunist deri në maksimum”.

Sipas Brown, inercia e Perëndimit mbi pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014, ndërsa David Cameron ishte kryeministër, “e lejoi Putinin të mendonte se mund t’ia hidhte me sulme të mëtejshme”.

Brown më pas dha një intervistë tjetër për BBC në të cilën ai kritikoi përçarjen e 150 vendeve që nuk vendosën sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

“Unë duartrokas unitetin e NATO-s, por ka një problem me koordinimin e sanksioneve, – shpjegoi ish-kryeministri. – 82 vende refuzojnë të mbështesin veprimet kundër Rusisë për shkeljen e lirive të njeriut, 150 vende në total. Bota nuk po vendos sanksione.

“Një arsye është se ne nuk u kemi treguar njerëzve se globalizimi i udhëhequr nga perëndimi po punon për të reduktuar varfërinë, për të rritur standardet e jetesës dhe, natyrisht, për të trajtuar ndryshimet klimatike në vendet më të varfra”.