Në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, turne që po zhvillohet në Moskë të Rusisë, garoi sot shtangisti Erkand Qerimaj, në peshën 81kg. Shkodrani ishte pjesë e Baterisë B, ku bëri një paraqitje të mirë në pedanë.

Qerimaj e nis mirë garën e tij, duke i realizuar me sukses të trija provat në stilin e shkëputjes. Shkodrani fillimisht ngre me sukses 150kg, më pas 154kg dhe në fund 156kg, duke u klasifikuar i dyti në baterinë B në këtë stil.

Në stilin e shtytjes, Qerimaj e nis garën me 180kg, provë që e realizon me sukses. Më pas tenton 184kg, por dështon, ndërsa në përpjekjen e tretë tenton 185kg, por sërish pa sukses. Qerimaj e mbyll këtë stil në vendin e katërt.

Në përfundim të baterisë B, në dygarësh, Qerimaj ndodhet në vendin e tretë provizor, me 336kg. Renditja përfundimtare e Erkand Qerimaj do të mësohet pas baterisë A, ku do të garojë një tjetër shqiptar, Daniel Godelli.