Çmimet e naftës dhe benzinës vijojnë të jenë të larta në vendin tonë, duke bërë që njerëzit të preferojnë të lëvizin me pak me makina. Kjo duket në statistikat e publikuara së fundi, ku importi i naftës është ulur ndjeshëm gjatë muajit maj, pasi qytetarët konsumojnë më pak dhe qarkullojnë më pak me to.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave, importet e naftës në muajin maj ishin rreth 44 mijë tonë. Një shifër më e ulët krahasuar me një vit më parë (më shumë se 49 mijë tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2021). Pra, kemi një rënie me rënie 17%. Kjo ishte rënia më e fortë në krahasim me dy muajt paraardhës.

Në statistikat e saj, Ministria e Financës sqaron se në 5-mujorin e parë të këtij viti, importet e naftës shënuan rënie me 6% dhe i gjithë fenomeni u përqendrua në tre muajt e fundit mars-maj, pasi nisi lufta në Ukrainë.

Ndërkohë që, importet e naftës ishin në rritje të vazhdueshme para se të niste lufta. Kështu, në janar 2022, importet shënuan rritje vjetore me 13% dhe në shkurt 8.4%, për të pësuar një rënie të menjëhershme pasi nisi lufta në Ukrainë dhe çmimet nisën rritjen ende të pandalshme.

Në mars, importet e karburanteve ranë me 16%, në prill me 12%, ndërsa në maj rënia u thellua më tej dhe importet ranë me 17%. Në Shqipëri, me fillimin e luftës çmimi i naftës në tregun e brendshëm u rrit me 30% në javën e parë të marsit, duke i kaluar 245 lekë për litër.

Prej disa muajsh, çmimet e naftës po përcaktohen nga një “bord i transparencës”, ku merr pjesë edhe qeveria. Fundjavën që sapo mbyllëm, një litër naftë u tregtua 265 lekë për litër ose rreth 40% më e lartë se, një vit më parë.