Shqipëria po shpopullohet. Kjo si rezultat i largimit masiv të qyttarëve nga vendi, por edhe i uljes së lindshmërisë. Situata është vërtet kritike, zërin e ka ngritur me forcë presidenti i Republikës, Ilir Meta, por edhe opozita shqiptare.

Megjithatë, asgjë nuk po bëhet për frenimin e kësaj dukurie nga ekzekutivi qeverisës. Sikurse raporton revista “Monitor”, duke iu referuar të dhënave krahasuese të INSTAT, në tremujorin e parë 2022 numri i lindjeve shënoi rënie vjetore me 4.2%.

Madje, në disa qarqe të vendit rënia e lindshmërisë ka qenë më e mprehtë. Në krahasim me një vit më parë, Dibra shënoi rënie të lindshmërisë me 22%, Korça me 19% dhe Berati me 17.4%. Nëse e zgjeron analizën krahasuese më tej, kupton se përgjatë dekadës së fundit norma e lindshmërisë në Shqipëri ka pësuar rënie te fortë.

Në shkallë kombëtare numri i lindjeve nga 2011 deri më 2022 ka rënë me 18%, teksa në disa qarqe ky trend është dy herë më shumë. Më konkretisht: Gjatë dekadës së fundit, numri i beve të lindura në Berat ra me mbi 40%, ndërsa në Gjirokastër e Korçë u tkurr me mbi 39%.

Rënia e lindjeve përgjatë 10 viteve të fundit ishte në mbi 30% në shumicën e qarqeve të vendit, përveçse në Tiranë dhe Durrës. Kryeqyteti është i vetmi qark në vend që ka pësuar rritje të shkallës së lindshmërisë me mbi 6% përgjatë dekadës së fundit.

Rënia e lindjeve po tregon se kapitali njerëzor i vendit po përkeqësohet, i nxitur edhe nga normat e larta të emigracionit. Studime nga metodologji të ndryshme të INSTAT tregojnë se gjatë dekadës së fundit të larguarit nga vendi janë nga 240-600 mijë, por shifra e saktë pritet të zbardhet nga censi i popullsisë që do të kryhet këtë vit.