Ekonomia shqiptare do të ketë një rritje deri në nivelin prej 2.7% gjatë këtij viti. Ndërsa vitin e ardhshëm, kjo rritje do të shkojë deri në 3.1%. Ky është parashikimi i dhënë nga Komisioni Europian për Shqipërinë në raportin e tij të pranverës, publikuar ditën e sotme.

Sipas këtij raporti, ekonomia shqiptare gjendet nën ndikimin e luftës në Ukrainë edhe pse kjo gjë është në mënyrë indirekte. Sipas Komisionit, vendi ynë nuk është realisht drejtpërdrejt i ekspozuar ndaj Ukrainës apo ndaj Rusisë.

Kostoja e lartë e subvencioneve dhe rritja e mbështetjes sociale që pritet për vitin 2022 do ta vonojnë rënien e konsiderueshme të deficitit, në 2.7% e prodhimit të brendshëm bruto, deri në vitin 2023, kur raporti i borxhit është parashikohet të ulet në 70.9% të tij”, deklarojnë ekspertët europianë të ekonomikë, mbi ndikimet konkrete që do ketë kjo luftë te financat tona.

Megjithatë, ata besojnë se ekonomia shqiptare do të shënojë një rritje progresive. Për Komisionin Europian, faktorët kryesorë që do ta ndihmojnë atë janë dërgesat e parave nga emigrantët apo niveli i shtuar i shërbimeve.

Mjaft ndikim pozitiv do të ketë sektori i turizmit, për të cilin thuhet se ishte pikërisht rikthimi i tij, i cili e çoi rritjen ekonomike të Shqipërisë deri në nivelin prej 8.5% gjatë vitit të kaluar. Gjithsesi, Komisioni Evropian nuk përjashton rrezikun që mund t’i paraqitet ekonomisë vendase nga importi i energjisë elektrike, referuar reshjeve të pakta këtë fillim-viti.

Në këtë rast, do të rritej fatura e importit të energjisë elektrike dhe mundet që përveç zgjerimit të defiçitit tregtar, të mbingarkohej edhe buxheti publik”, pohojnë ekspertët europianë.